DOSJA E NJË KËNGE TË HESHTUR

PROLOG

... tani, Hefest, ti duhet të zbatosh atë,
që do yt Atë;
e mbërthe Këtë rrebel
mbi shkëmbin e thepisur...
... zeusit t`i përulet
dhe dashurinë për njeriun ta harrojë...


(Eskili, Promethe i mbërthyer)


BIOGRAFIA E AUTORIT

- ka lindur në Tetovë
- shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Tetovë
- fakultetin filologjik, drejtimin - letërsi dhe gjuhë shqipe, në Prishtinë
- pos poezisë, shkruan prozë dhe ese
- ky është libri i parë i autorit
- përveç letërsisë, në agjendën e tij vend qendrorë zënë artet e bukura, filozofia e sidomos lëvizjet dhe format e dukurive sociologjike, me theks të veçantë humanizimi i njeriut…
- kuptimin e jetës e ndërkushtëzon me paqën dhe dashurinë për njeriun
- jeton në Zvicër



prindërve të mi
për testamentin e veçantë altruist
dhe filantropinë e përjetshme e të pathyer



ABSURD

akëcilit
s`i vihet gishti në ballë
në qarkun e zjarreve të padukshme
brenda kërkimit nëpër historitë e pashkruara vetjake
guri i prehjeve me gjarpër
të shtatë moshat u dashka t`i kalojë alkimia
të pagëzohet një udhëtim
e të prekësh pastaj me dorë fundin e kuptimit
të të velet një udhë në rethin vicioz
një hap prapa të shpëtuarve
me rrëfime makabre që edhe zotin përlotën
e uratën e përballjes s`e solli kush pa hidhërimin e erës deri më sot
veç për një sezonë halli u nisën legjendat e rënieve të kënduara
një hap prapa të shpëtuarve
nismëtarët e sprovës pësuan si kurrë më parë
e që të mos arrijsh fundudhën e ëndjeve plakura
aq ftohtë ta bëjnë në mitin e kupolës me caqe të mëdha
nëpërkëmbë të lidhet përtej kufirit haku njerëzor
me zhmatje butësie

ikni me varkën e parë të Noes
mos i jepni kësaj udhe më shumë



ALIBI

ujvarre helmi përdredhin syprinën e virgjër me të çmendur
në prehje vrasin amshimin
e shetiten të lirë
me alibinë e fqinjësisë së papastër
imazhe të kurdisura gërxhelësh frymojnë
sipas forcës së zhurmës
hapësirave të vetmura subtile të qenieve mërguara me lot
Gogolët e ceremonive
mbi kokat e të duarlidhurve
i kapin të përjetshme kryevendet e huaja
boshatisjet e gjurmëve të gjalla jetësorë në bredhje
i kapin të përjetëshme
grishjet e hijeve të cunguara të smirës



AFAT NJERIU

sa të njohur
në vargan të pafund zgjatojnë festuesit
që t`a vdesin një legjendë
me ndërgjegje të ftohur trokasin si kusarë
anembanë pacipës
hukatin kobe makabre në të njëjtat caqe edhe ku hanë
lëpirës të padhëmbë në pelegrinazhe të huaja jetësh
me rastësi të planifikuara në bujtina

sa të njohur
shalojnë si karikatura ngushëllimi në pritje të një aksidenti
e shtirren lypsarë amebat me delikatesë profesioniste, plaçkitësit
tredhin në përkryerje mendjet bashkëkohore të vdektarëve
e nuk trishtohen me radhën e tyre të harlisjes
mëshirën e tallin të verbër
dyerve në varganë të pafund në guzhma të huaja
mjeshtër të mbetjeve janë
me fryerje kapen pas dyertrokitjet e qorrave
aty kanë gjetur afat njeriu
me role amorfe



ANATEMË

hijet e pangjyra më kot i sollën nga horizonti tjetër
e me zakonin e hatrit i ulën në fronin e
përcjellësve të ri
jargët erëkeqe të lajkave të zbarra
kahje tjera zhbekojnë sprovat pamjehuaja e struken
nikoqirë të vetëquajtur pastaj edhe çerdhohen në pritje
me shtrydhjet e lakmive të padukshme
në stinën e parë të ardhjeve

pengje të gjalla aureolash anatemojnë
e secilat imazhe të ngushëllimeve të shtrënguara në xhep
që as dreqi s`i prek aq afër
zotimet e flijimeve të kafshatave të pangrëna
përballë çasteve të amullive heshtura
në të njëjtat udhë




MADHËSHTI LEGALE

në manastire të izoluara imazhesh
gurëzime kujtimesh
ikjet të ripagëzohen si lamtumira të pafajshme
në cikle të metamorfozës së përcjelljeve
lesh të huaj u dashka zbardhuar
në vorbulla të lirive të frikshme
përjetë
zhveshën nga një qime floku
më të lehtë të ishin për dalje
e të mos vdisnin para një të diele

të mbanin mend
së paku një joshje legale
ndër njerëz



APOREKTE*

të ishte lindur si askush,
t`i hyje kësaj ërrësire të ndryshkur me ligavarre të dendura
t’u hiqje parzmoren gjysmëperëndive, atyre
që dogjën tërrë qytetin: pleq, gra e fëmijë
për plaçkë qindarkash të huaja që i pandehnin si prej toke
kur as guna shekullore s`bën punë në dimrin e ri të ditës shëngjergjit
lëvore tjera tashmë trashnin sprovat këndejpari
e jeta nuk t`i thurrte historitë e thjeshta
në margjina tjera mëkate kokëfortësishë dhe
mite tjera të reja mbi farkime të fatit
askush tjetër s`pështynë zëshëm mbi buste as mbi farsën e sadakave
pseudohapur për të larë borxhin e mëshirës
ndër dallditë e ngulfatura shpirtërore me ironi të dashamirësisë
nën frikën e profecive për shtatë motet e ardhëshme shterpe
sa më i urtë ndërkaq Ti,
aq më zhurmshëm po ngopet monstra
jashtë masave të marrisë sovrane pret gjymtyrët e të mbërthyerve qetë
që cilëndo rugë që të merrnin
dosido të sosë në gojë të tij- aporektit

*aporekti - figurë mitologjike që pasi t’i zinte viktimat në mal, i lidhte për shtrat dhe u priste gjymtyrët që tepronin jashtë masave të shtratit të tij.



NGJITJE

... sa poshtë paskam rënë, duke u ngjitur këtij olimpi të rrejshëm

(A. Shkreli)

të moshohesh shkretëtirave në humnera të pafundme rëkëllimesh
me privilegjin e radhës për t`i ç`etur ndalimet
me latime oreksesh ëndrash të bardha për buqeta
kush s`mbet, kureshtjet e përndezura për xhevahirët e mbjellur diku
ethet e çastit apsolut për t’u ikonizuar në mur
mall, lutje, përgjërim edhe njëqind karvanarëve tjerë
kokë të nemitura vënabaste derdhnin portretin lakuriq
për një gotë etje

britma mëdyshjesh të padukshme
ofshama të fshehura në sfonde të trazuara përkuljesh
përballë shqetësimit të sjellë para këmbëve të cakut
pa frymë përpjetë piramidave fiktive me vezullima thesari mitik
rrëpirave të mirazhta me gjysmën tjetër të vetes në breg
ngujuar në pakënaqësinë e përjetshme të shpagimit
gjysma tjetër
fotografi e zhveshur ndër duar


MJERIMI I PASHËRUAR

flini qetë në çiltërinë tuaj engjëjt e mi, jo njëherë
më kanë stopuar të papriturat e stërpikura të mallkimit
dhe përthyerjet fatale të odiseadave që erën më vidhnin
nga velat e barkës
shumë lonxho kanë zanë pritë në fatëkeqësi shpirtërash
beronja të trishta molesh të braktisura
kisha predigre besimi në copën e hapur të qiellit dhe
në shijen e hidhur të shortit
dert s`kisha të degdisja hijet e deformuara të kafkave të krymbura
sa ekstazë mirakëndje se do shërroja vajin e tyre prej sirene
që e pandehnin për këngë
udhëjetën e tyre të rreme që kishin topitur me gisht të vetin
në kokë



BASHKËUDHËTARËT

Në atë singlën e lakuar me variante të censuruara, për një karvan të rënë
në zavallë udhe,
në prrita egërsirash e ndërsymje të papritura cerberre në një orë të
zbarët, në një ekspeditë
mistike me gjurmë të shpluara...isha unë...
I trashëguar me një qeshje pa epidemi hale në sy (pa ma thënë kush se
këtu kjo paguhej
shtrenjtë një ditë), drejt një parashikimi boll të përmbushur, i kalitur me
përkorrje, me një lutje
për të gjithë. Kërcëllima shpirtërash më kishin mëkuar padurim. Unë
me një çerek lutje ia dilja
mbanë.
E, aktin e kafshimit e fillojnë te ushqyesi, si rëndom, zbrapsje duelesh
në blasfemi mbi kurriz
intuite -
Ata të ekuipazhit të brendshëm, veshur me marshe të mia, jashtë
fshehnin autorësinë.
I ngarkuar me aq marrëzi tokësore natën vjellja erë trolli të sëmurë.
Parandjenjën, kah shkoja e merrja me vete talisman.
Fate të sintagmuara udhësh e yçkla nënkrejesh në ca beteja tjera
mbijetese. Një lutje të djegur
dëshmie.
Qenka gabuar hata paraardhësi në përzgjedhjen time të besimit të
bartur.
Kryet të mos e kthejë kurrë më kah darkat e bashkëudhëtarëve?


...tetor `96 / Bern



XHELOZI...

apo... bestytni s`di,
më thanë
asnjëherë s`bën ti sjellësh të gjitha lulet
kështu kërcënon këtu legjenda
nëna e aromës të vdiska
në të njëjtin vit
në eter


Tetovë / qershor ‘94




Ç`ZBARKIM

thelb udhësie
stuhi të balluara në pushtetin e errësirës, përplasje famoze
velat e xhindosura botërisht me kusarët syzgavër
kredhur në kulte të maskuara me ligësi
sa herë i jashtëhedhur në ujëra sqimtare harimi
nuk zotërohej deti i tërbuar me mllef të shkundur zhgënjimi
as nga mëshira e lotëve të përgjakura
as me virtytin e ashtë për të ndejtur zgjuar më gjatë

terri nuk ik me shtërzimet e plagëve rishtaz pas beteje
thelb udhësie të hidhet jashtë lëkurës së shpresës
horizonte të thyera ose zhytje të tretura në vetëmohim
djepi i lindjes me një shenjë enorme shprese
tej dallgëve të egërsuara të mosbesimit, edhe më tej
mjegullirave të mashtrimit me bartje të zymta
me një grusht pësimi qenien të mbjell mes qiellit e tokës
sa ta varros kufomën e këngës
në breg

kortezhi i lundërtarëve imagjinar nemitet
të ndodhte kapitull ç`zbarkimi me barrë zie
edhe në dhjatën e tyre
me thelb udhësie



DALLDI

rotull një tempulli të ri një tjetër ritual
shterpësi imazhesh terret ndër duar jashtë pështyhet përpjetë
ëndjet e përkëdheljeve me uratë të ndaluar majë gjuhe
e bien mbi fytyrë një nga një, pasi t’u kishte vdekur idhulli
rrënqethen në djersë zhgënjimesh që s`kapin kësulën e artë të makthit
në ëndërr
duke u sharë në emër të... zgjohen duarbosh
veteranët me toruan e humbur të fitimit
përgjohet pas dere kah t’ia mbajnë me moralin e muzave
s’ka mjaftë kohë për të gjithë
imitime të gjymta pjellin bindjet në mes të ballit në qark të hapur
të tërbuar me pritjen e pasurisë nëntokësore
ethe të rrepta heshtjesh zhyten në lakuriqësi mosbesimi
shtatores së mbijetesës, veladonin, mbrapshtë ia kanë zhveshë
prelude modelesh parakalojnë, të ikonave për dukje
askush i ngopur askush s`pëlqen të veten copëndarje
çdo gjë tanimë tretet mollë sherri e rush i tharrët
shpëtimi pret listën e re të roleve mbas dere
sërish shalohet pa afat skadimi
epoka e gjuetisë prolongohet edhe për vitin tjetër
as në faltore e as në vitrina uratat e shpresave s`mjaftojnë
as për të lyer bukën
brenda shtëpie hahen sipas zakonit të turpit - ilegalisht
hambarët e shpresës kursyer
për dukje të kamjes së jashtme


Tetovë / tetor `96




DËSHMI

jo...jo...
engjëjve u shkruajta me petale të çelura të shpirtit vrarë
por letrat mi grisnin cerberët e kapisë
jashtë me të pavërteta


DEUX EX MACHINA

ti monstra e maskës zezë
falemderit për gjithëça që më kallët si ndodhi
hija e kobit tim të mëkatit
në skenë
mos ma kishit thyer këmbën e shembëlltyrës
komod do isha prehur përjetë
në utopinë e dashurisë amshuar
në iluzionin e purpurtë teatral
të perdeve njerëzore

falemderit...
idhujtarë traumatikë të keqpërdorimit me vetvete
hija e kobit tim të mëkatit
në termine të vonuara kohësh
në motet e prapaskenave të miteve cinike
alternativa e tempullit njerëzor


DITËN E TETË TË JAVËS

brigjeve nuk bekohet më sprova si dikur me urtinë askete të heshtjeve
profilet e ardhjeve të zymta prehen sheshas në aludime tërthore
për të nesërme të lëmushta hiqnin paralele vetëkënaqësie mendjet mizore
nëpër sfonde të huaja të pambrojtura me halabakë vreshtash dhe
hudhër lugetërish
për dredhakë ia mbanin në një botë të shkërdhyer me hir
vetëmashtrimesh në origjinal
e ta ftohnin si kurkund në shputa flijimin kardinal me frymë të
pamiratuar shfajësie
gjëma të panumëruara të shtrydhin pa zë për një kohë më të gjatë se jeta
kujtoje mbase akëcili përreth teje i njihte udhët që s`preken
për të cilat
veç një herë mbathet ati

edhe e mbështjellë djeg ofshama e shpresave të këputura në abazi
me thundra vullneti delikat
i kthyer kah qielli rrëfehesh në duhmat e gjalla
ikonat e pafajësive engjëllore të qortojnë me grimasa largësishë në
kuleta
e rishpërthejnë përmendjet e mungesës sate të zhurritur në shpirt
në gjysmë të rrugës : t`u guzhmistë kënga e afshit në dënesje
të më braktisi edhe... kolonia e yjeve
që shkela ndër të parët unë
në ditën e tetë të javës


DOSJA E NJË KËNGE TË HESHTUR

kënga nuk mbetet përjetë konkubinë e plakur e shpirtit memec
mespërmes ndjekjeve të shumkëmbshave edhe përmes lajkave të zanave
të përdala
morra pëlqimin e moteve të urtuara të dashurisë edhe bekimin e etërve
të udhës
dhe e solla me arkën e katër kortezhëve të heshtjes
mezi mbijetoi e përgjakur në golgotën e udhëkahjeve me tjera origjinë
në betejën për kurorën sovrane të etërve diku larg në një front hata pa aleatë
s`di më çka e ruan fytyrën
fanfarët e mallkujtimit gjunjëzohen sa herë që trokisja në derë fajtori
isha unë
të kisha zbritur koincidentalisht në sinorin e mbretit sakat me brirrë në
ndërgjegje
bashkëkohësi ilegale më shpallnin përpara dyerve të mia pa jubile
kam dëshmi thirrjen e shenjtë nga kulla edhe gurin e zhvendosur të kufirit
e pastaj ta shthurrja stinën purpure të kthimit përgjithmonë
ec e mos shaj
matrushka të panumërta mercenarësh, dekrete kameleonësh në mozaikë
ah
më shumë më ka vrarë mosdëshmia e fundit
më shumë kam rvuajtur
kur miqtë e qelisë më vdisnin të prekur nga pavdeksia ime

konkubinë e shpirtit memec nuk plaket dosja e një kënge të heshtur




DYLUFTIM

të dërguarit të keqes MADHE
nënën ja kam kajtë në lule të ballit

veç, u zura për murri
mbeta keq
kur pashë se legjendat tona s'kishin qenë
të vërteta


ECJE

Ç`tërbim të tmerrshëm hata fizika e prishjes ndjek
haraçët vijnë shpejt
apokalipsa e kuajve të zgjebosur ndërsehet ndër ëndrra të qeshura
lemeria, ankthe të paranojave me kobe ogurzeza
kur ngul shtiza triumfesh në maje thelbesh e biografishë, atëherë
gjitha shembeshin brenda një njeriu
me persekutimin e diktaturës së mëkateve në ballë
që nuk hoqi dorë
nga fryma e miteve të mëkuara më gjatë se vet jeta
nga tundimi gjakues në kurmin e ruinave të lashta
aty për aty
tmerri i smirave të masakrojë një legjendë
e t`ia shembnin të gjitha një njeriu përbrenda, në fundin e tij
ai të ecë në këmbë

larg janë,
në kortezhe të tilla s`kanë për të bartur më shumë se
pavdekësisë së kultit dhe alkimisë së rikrijuesit
këtij soj Ecaku aq vështirë i shihet veriu ...
spirancën lëshon vetëm në brigje të thella amshimi


...22 tetor `96 / Bern

EKSPOZITË

mbi gjithçka që fshihet mbi gjithçka që duket
jam unë vetëm në këtë akuarium gjigant me diell neoni
në simbiozë zorri me vegjetacion të montuar përkohësisht
hiç ma shumë hapësirë se një guackë tutje
brenda qepallave të lodhura
tutje s’ua ninë pisave t’ia lidhin për peshkaqenë në të thatë
të thithin dinjitetin e algave të buta mbi tavolina
me specialitete të manireve të çmendura trupfolëse
me buzëqeshje të ushtruara me udhëzime përdorimi
e m prizma të shtërzura inferiore të ndajnë botën
shtirren si peshqë memecë në parakalim
dhe ju pastaj
i merrni për të pafajshëm

EMËR

edhe humbjet kanë emër...
dhe njihet një udhë që në shesh i lidh
komponime të simfonive të pagjetura në manuale të djegura pergamenësh
e batisje dëshpërimesh jashtë kornizave epokale të transparencës
më tutje se imazhi i çdo vdektari për ujqë
ekzemplaret skrupulloze të grykësive penetrantë të kukudhëve
në tërsëllima origjinash
mëngime shekullore para dyerve romake pa vigjilenca
e besime të abuzuara foleshë
njerëzish të varur për mickla
e instinkte barbare në emfaza smirash parahistorike
më tutje se epoka e ikonave helmuese
fshehurazi te ajo lagje e largët me tepih të kuq
njëmijë dorë marifetesh gëzhitnin kundër dhe...
tjera krahëthyerje të luleve të harmonisë, para fjalës së fundit
e histeri hibride ndaj hejbeve të mbushura me ëndrra
me aq dhe të derdhur në gjysmën e qoshes sime

fosile të vetme që s`heshtin qenien janë
jehonat e ecjeve të pazbrapsura
tinguj harmonie kanë bujtur në relievin tim
edhe humbjet kanë emër... dhe njihet një udhë që në shesh i lidh
sa gjatë kisha besuar në çerdhe

EPIKA TË PAVDEKSHME

plagë të përgjakura në arena, gladiatorë në spektakle tragjedishë
ahengje marroqësh, sherre të gdhendura dashurishë e hakmarrje
të gjysmëperëndive me nyjë intrigash me tutelë kobesh të lidhura
inercione mbeturinash në jashtëqitjet personale, currile inskenimesh
mejdane të kundruara tutrash e maratona argëtimesh të voajerëve si
kurrë më parë
gjysma e botës ishte e krijuar për t`ia kllukë vezët gjysmës tjetër
suflerët në fund vjellin synesat publikisht që s`qenë kurrë aktorë të jetës
vetë
e legjioni i fshikatarëve shekullorë kllapet halë e keqe në bebëza
dashurishë
lotë reptilësh derdhen në gji oxhaku
me kalë druri për pajë erdhën në raft dhome
zeusë amoralë të plaçkës

EPILOG

një plagë misterioze
jesir i ciklopëve të zi të errës e mora
në një betejë zulmëmadhe që s`dukej me sy
një plagë
edhe që prore mbeti imja
s`më takoi dot kurrë...

EPITAF
asnjë emër të moçëm
asnjë fytyrë e pakapitulluar në deliriumin e lojës së re
dreq ç`ishte vezuar ters aty një feniks
herë dukej një marsejezë kalaje e herë si një baladë rexhe
që e kishte mbytur kali
pashë e s`njoha simbolet e reja në gjokset e dyerve të mbyllura
as nofkat e shpirtërave të përndezur, parada profilesh anonimë
sytë e frikësuar të mirëqenies preheshin në heshtje
me një ritual të ri përshëndetës
mbylljet e lutjeve të plakura damarëve të qytetit,
quo-vadis
legjenda e oxhakut kishte vënë dorën në bark dhe
vetveten në sofër mohonte
me zhbekim ilegal me blasfemi tinëzore të secilit nga pak,këtu
në darkën e shenjtë
ku apostujt bëheshin copë reth tryeze

ESHALONE TË ËNDËRUARA

me refrenin e zhgënjimeve të ringjallura për prejardhjen
s`kam frikë tanimë vdekëtimin unë
përpjetë stepësh shekullorë të eksodeve buzëshkrum
për shtatëmote anembanë përvojimeve
orës së ligë t’i vjedh shaminë e mbijetesës
krejt paska qenë magji si asnjëherë më parë, krejt
krejt iluzion niçean për sonata e hymne të mbinjeriut të mirë
krejt çka doja t`arrija ishte e vdekur
kreatura të parealizuara eshalonesh simetrike e gjeneralë të mëshirës
mbretëri absolute të paqës
s`ka mbetur vend as për lutjen e fundit
në gjoksin e shpresave të molisura me ëndërra të dhëmbëzuara
kurme me epoleta tjera yjesh përjashta fatit
e pamundur të ishte...

FAJTOR

karrocat e shembëlltyrave të kota urtinë heqin zvarrë
në cikli metamorfozuese të udhës së mbarsur jetësore
durimin në cep toke përjetë
me afshin e idealeve të ngjeshura në pathënie
enigma hutishë si në natë të bartolomeut
në qoshe të errëta egosh
paroditë shpirtërore
majë gishtave të thyerr celebrojnë
shenja të dyshimta gjymtyrësh
shurdhon ulërima e vajtojcave analfabete
jashtë një qenie të gjallë jashtë gjitha çasteve të udhës
siluetë e paakceptuar, ti
sekrete e profile të koduara monalize anembanë
ushtri e dështakëve, dezertorë e anatemë, të shpall
ti fajtorë i flijuar në përjetësi

FATALITET

ta dija
që më dukej fati në shuplakë
s`do i falja dorën asnjeriu kurrë
sakaq mbase
vetëm një foshnjeje për biografi a një
plaku për ardhmëri

FOTOGRAFI

fotografi kam ndër duar
të ma njeh kush
imazh të një ëndrre të zbehur ma lanë
apo mashtrim
trill i trashëguar është

GJAH

të mposhtësh sheshin e hordhisë së hienave ia del kurdoherë
mbase gjaku i njomë i ëndrrave derdhet në sfond të pafaj
zhvendosje permanente me pluhur të hedhur syve, bën
në areale private të fatit kreshpër
e njëri sy s`të bie kurrë në gjumë
si udhëtari i të kaluarave me emër përjetë mbetesh pastaj gjurmëndjekës
në gjah egërsire, silueta e flijimit të soset
në hone motesh provizore
imazhet e pagëzuara shkelen brigjeve me rutina nuhatjesh
në gjah, butësia në thellësi pëlcet lëvozhga të zvërdhemta intrigash
sa ia vlen
të dërmohesh në llahtaritë e jetëve shtazarake
imagjinata njerëzore të shndërrohet në bishë
në gjah ligësie mbetesh përjetë sypafjetur në mbretëri terri
e nesër sërish natyra e egër thurrë strofulla të reja bishash të pagjahura
përbrenda
të mposhtish sheshin e hordhisë së hienave ia del kurdoherë
porse gjak i njomë ëndrrash derdhet...
udhëtarë, i të kaluarave me emër


16.09. 2004 biel/bienne

GJUANI...

ja...
gjuani në mua... gjuani
pa hezitim...gjuani...
hani në mua... ja...
gjuani dhe hani në mua...
ju, raca e uritur për gjuajtje
gjuani...
vetëm të shëroni ...
gjuani dhe hani në mua,
as zotit s`i tregoj mos kini frikë
gjuani...
mbase përsëri s`do të fitoni legjitimitetin e shpirtmarrësit
gjuani dhe hani në mua
të shëroheni ju, dhe
sindromi i plaçkës suaj ndër shekuj

GJUHË FLIJIMI

para të dielës gjithçka të vërtetohet prej fillimit
në kahjen e kundërt të ditëve të harxhuara
prapa mureve të përgjakura të kujtesës
sizif fanatik ringreje flijimin e gjërave që s`mund të heshten
shumë larg vetes pa e kthyer kokën
për shkaqe absolute të një minimumi të palcës së besimit
se edhe prej lart bien udhë qorre
se zezonat dasmojnë edhe në xërxalla lumturishë
me cilën bindje të brishtë shmange hapin vazhdimisht
tani në krahun e djathtë të shkruhen mëkatet e huaja
shumë larg vetes e pa arritur gjetkë,
i etur mbanëdole nëpër fatamorgana,
i pafjetur mbanëgdhive tej shkretëtirave gunjëzuese me lugje gëlltitëse
para të dielës gjithçka të vërtetohet prej fillimit
stuhi përvuajtjesh megjithatë shkrepnin vetëtimat, mbase
të ishin muratorët e altarit të rremë

HERË

herë më quajtën renegat, e herë të anatemuar,
herë promethe e herë zeus
agamemnon a odise
herë
dezertor i tërrbuar i atësisë
herë sofokli atdhedashës i atikës
e herë..

atëherë...një trup për një shpirt
më qenka pak...

HIJET MARTIRE

Hijen martire e pikasën ngutur ta shuajnë sa më shpejt nëndhe harrese
në shtratin e heshtjes me grim nën regjimin e sqimtarëve të mesjetës
fluturimet e kokëlartësive të tretura e
grahmat dinjitoze përmbi ishuj shtatzënë të vetmisë
pezullime të reja ardhjesh në gjitha labirintet e kopjuara të jetës tani
akoma një shpirt i panjohur në llogore epshesh të skllavëruara
mosnjohje të përkëdheljeve dashuridhënëse në turrmat e epsheve leproze
aty, ku me katër këmbë kërkohej
vetshpëtimin të thithnin egot e shpirtërave zhveshur
dhe sërish Ty hije martire
të kthejnë prapa si të shkepur nga qielli me gjeste vreri
në formën e aktit të tyre garritës
çdo i dyti, fuste dorën për një copë idhulli sado të vogël
kushtin e tablosë së tyre për mbijetesë

HUKAMA

udhëprejnë tërthorjet e buklave
jehonat e hukamave vdekjeprurëse
që të vdiset vetëm nga një plagë puthje ndaj botës
si fluturat e zhurritura minutave të fundit me parajsën e gjetur
e të urtët të flejnë veshëmbyllur në zhurmën e aksidentit
pas vellove të trasha të durimit
e pastaj edhe të ngriten statuja famoze të shurdhmemecverbërve
askush s`kishte parë, as kishte dëgjuar, as kishte folur
larg fajit të vdekjeve
fushata hukatjesh ndër shekuj
shqyerje e pikëllime dashurishë në kohë kolere

I KËRKOVA VETES

vetëm të gjalla ti kthej dromcat e zvarura të afshit gdhendur
tingujt e idealit të parë të zbritur në tokë me lëkurën time
tundimin e pashuar në gjetje të meskufirit të sublimes në ilegalitet
vrushkujt e kujtimeve shumërrënjëshe t’i ujis me freskinë e amësisë idile
pragun e pashkrym këmbadoras ta lektoj qoftë edhe gjysmak
buzëqeshja kurrë më ta pasojë dhembjen e Madhe
në legjendën e majave në logun e mekur të shpresës
të mos e leqendis me trashëgim, makthi i epshit të sëmurë të korrjeve
e në mbanëmote përfund vjeshtave të zbehura matufe
zgjëndrat të ç`lumojnë sytë e zemrës së përmendjeve
i kërkova vetes
edhe zezonave gëlltitura t`u shqep përjetë pendimin
i kërkova vetes
. . .

IDOL

anise brenda kornizës duket sot murgtrashë
idolet e syve të tij të uritur
s`qenë kurrë
ikonat barkëfryra...


IKJE

kallauzin e cakut e gdhende me shekuj
karem për ikje
drojën e zgjuar në timbrin e heshtjes dykahëshe
vetëm mos të të sosen udhët
i denjë për ekzekutim
zvarrite shkallëve të thyerra me vonesë stine këmbadoras në kufi qenie
e këtillë qenka kjo lektisje
i hodhe edhe të imëtat e fundit nga xhepi në altarin e rremë të jetës
ku kokëzohej përditë e më shumë hiçi
mespërmes shtigjeve të rrahura qorrazi
me uratat e refuzuara
xhinglat e derdhura të jashtëbesimit
e ike me hendikapin modern të peripecive në intimë

kah vegime të konvertuara gjeneze
të merrnin hak
deri në alivanosje ngrëne thatë shpresën e paemër
e u ngope fallso me përtypje të ditëve të numëruara
një ditë anarkist i porosive të huaja të zgjidhësh
qenin e heshtur të mirësjelljes
demonët e shpifjes hepohen për të shtrirë këmbët edhe më gjatë
në mitin e egos të anatemuar çarrtas
ik
nga shtigje të rrahura qorrazi

IMAGJINATË E URITUR

u pijmë qumështin përmot
u hamë edhe mishin dosido në një vigjilje feste
skllevër të syve të pashëruar në tryeza të majme
zakon race ta kishim në ahengje pompoze e ceremonitë e therrjes gulagë kamje egosh pozojmë predatorët e çalë, banorët e amshuar bipolarë të shtegtimeve sezonale gjahun e mangët pandehim plaçkën e përjetshmë të pre-së në gjumë,apo pushteti i mjerë i imagjinatës sonë të urritur të ishte



KEQPËRDORIM

të gjithë e shihnit si dërgohesha në tufë zjarri me spektakël
me eklatancë perfide me rrit buçitës të ç`besimit
me simulime perverse të pavërtetash e absurde të pispillosura
inkuizicioni
e ju... indiferentë si kopeja në përtypje të tekave meskine
në ruina të dhunshme kohësh jepeshit me të shkelura ters analfabetësh
e megjithatë rrotullohej,
mbi pushtetin e hireve hipokrite të botës
më arkaikë se kurrë epoka e kafshimeve,përsëri
e shfajësuar publikisht me psalme trularrëse
gjuanit gurin e të pavërtetave e aplaudonit rapsodë të rrejshëm
ciklopë me pengje të përditshme ngopjesh
sot e kësaj dite,
me shpifje ndër duar njerëzit e tepërt
që as një uratë të veten, thurrur s`e kanë
vetëkënaqësi të cunguara e ekzekutime boshe, silueta mjerane, ju tjerët
a ikët të syzoni njëherë para pasqyrave hamendjet
statujat gërrdibërrëse kurorëzohen sheshas
fatëkeqësitë e veta masturbojnë gjymtimet shpirtërore në sheshe
voajerësh
juve si s`ju bie ndër mend regjimi dyftyrësh i djajve


Tetovë, 2004

INTUITË

më pështyjnë ëndrrat hije
si të njohura
jam takuar me to dje
ose
nesër kam për t’i parë
LINDJE
edhe që s`u lindëm
ne
s`mbetëm jetim
ne
i pollëm prindërit

KËRKIM

bënë çka bënë
për një arratisje jashtë lëkure
t`i përzunë mend
sa më afër cakut aq më larg vetes e dërguan
të parin e sprovës
"ashtu qenka shkruar"
me shije kuptimi shqyhen saherë krahët përtokë
cilat kohë kërkohen
nisur nëpër botë
me leckë mashtrimi të lidhur për syshë
me qirinj diogjeni ndër duar
të zgjatur
kah loja e dëshmisë ...

KTHIMI

helm zhgënjimi thithet dhimbja
në strofullën shenjëshkulur në shenja sakrale të udhëdëftimit
mbi rruzullin e universit humbur
në dridhërimë krateresh të ëndrrave të pashkrira
në tjera qarqe prisnin me njërin sy, tjetrin e harxhuar në ëndrra të
pasosura
versione vetëbindjesh në kolona të reshtuara
të pashpallura në itinerare të ndaluara të hapësirave
që as dorëzonin bestytnitë e bredhjes e as iknin pa bekim
njëherë në muaj ngjiteshin deri në stepat e vdekjes
t’i marrin erë vetes, mbase
i kishte djegë pafundësia e nisjes njëherë
sot i fryenin edhe kthimit
me ritual mosbesimi


shtator, 2004



KUFI QENIEJE

tejkaluan
kufjitë e qenies duke kërkuar kafshatën e historisë vetjake
ikën larg, derdhën veten në kutinë e shprazur të pandorës
me pushtime kokëforta të meridianeve të padukshme
përtej forcave të lejuara të shpirtit
duke u fryrë se ishin të vetmit
që ia dolën të ngulin flamurin në majat e sfondeve fiktive
me agoni të prapavijave boshe me hambarë të përmbytur
me kapitalin e qeshjeve të kursyera
blenë një ishull të ri në kokat e veta
me ëndërr të mashtruar mbijetese
e të zymtë u kallën në histeritë e frustrimeve të pazhbëra
s`gjenin dot si ndalet ky mister
e ç`nënshtrim të tërheqësh përjetë gurrët e piramidës zbathur
e të brengosesh panda mos diktohej hapi...

ç'të jetë
gjallë e varrosur në urinë e heshtur të njeriut
ambicie faraoni apo palcë skllavi


KUJTIME

miku im
këndejpari majet pushtohen ndryshe

në luftë gjelash kacafytnim bindjet aguridhe
me mjeshtri sofiste mbijetimesh tjera
e sorollatje të çuditshëme kishin akrepat e ecjeve tona
në varreza të veçanta të idealeve të rëna
në betejat e moteve të bardha,
ne këpusnim koka të freskëta ëndërrash
duke u kapur për fije floku

KUNDËRMIM

Jo veç
nga coftinat e lakmive mesjetare qelbej sheshi
mbase
nga maniri i xhambazëve të puplave
me ambicie ilegale të shpresave të retarduara


FLIJIME

ju më thoni
të heq dorë më nga mburrja me flijime
në cep të një rrëfimi tragjik
kuptime tjera gjymtësitë e gjalla të idhujve
gjithçka m`u afrua për haraç shpirtëror
veç në versionin tjetër
rigjeta librin e humbur të jetës origjinalin e pluhurosur
një udhë të legjitimohej kapitull në vete
sa iu dashka njeriut të çalojë
i përgjakur me imazhe të horizonteve të thyera
flijimet që i mveshja me miqëzime të hershme
më thoni të heq dorë nga mburrja
me aq shumë mbanëdalje
të konvertohem në mosflijues...


BETEJAT

të ishte kthyer
i parokullisur tutelave cinike
haptas nga pikime të pasosura vendndodhjesh
e pa odiseada të tretura qysh në orë të hershme
agu t`i muzgojë
në stuhi të përsëritura me mija herë
nga mite të huaja endrash në rrokaqiej
mbase s`dihej të ishte kthyer kush
i pandukur përanësh
pa shpresë të tërhequr me litarë
për dëshmi zbarkimi në breg


MAJE

sa e ulët sa e thyer
paska qenë
maja e shpirtërave të vegjël


MANDEJ

mandej
etja hakmarrëse stërkall pa rend të pafajshmin në rresht
jo akëcilin qoftë

kur nuk tretin dot veteranin e ri të dritës
demonët e shterpës..
ndotin ujin më të afërt


MATANË

siluetë e endur në zhgënjim
gjakim fati me tatuazh të gravuar gri
me lëkurë të gërvishtur shprese matanë
kryqetërthorë universit të ndrydhur të sprovës
frymë flijese e shtrydhur gjer në pikën e fundit të besimit vrarë
skaje tjera sakaq shplojnë diku netët
ku mbretëritë magjike të paqës hapur gjallojnë
e zhvarrosin bindjet e dorëzuara nëpër shekuj ëndrre
matanë sfidave siluetën e endur në zhgënjim
mrekulli të bardha thurren ëmbël në gji dashurishë
me tingujt thelbësorë që kishin rrënë në varrezat
e rëndomësisë së ultë

sa larg ashtit të trollit qenkam shmangur


shtator, 2004 ... BIEL/BIENNE



MBASE

të mësoja solfezhin me kohë
e di
symbyllas një sokak do më kthente në vis

pastaj...
të stërvitesha me paqën qelepire
edhe unë
sot do thithja ulkonjën


MBETJA

kënga e të palejuarës kokëzohej bishë tej besimit
hijë e turpshme mbinë në hone sfidash shumëkokëshe
vajtja drejt altarit ngrëni copën e madhe
për lloji duhmash u flijova hyjnive të ditës tjetrën copë
kumbarë, e trishtueshme mbetja
zhgënjimi i trazuar kundron gjëmë
një grimë me afsh në të belbëzuar
vetëm një grimë me afsh, ah...s`mjafton
të ndjellësh bindjen


MBINJERIU

i shkuli thonjtë thellë
e në gjuhë varri hallkën e ndryshkur të memecërisë
sedrën kapriçe e përmbyti me trollë flijimi
lakminë e pavarur të smirës e tredhi me përarritje
veç një maskë çmendie mveshi me përlotje
i duhej të kalojë reth një race njeriu të dështuar


MËKATI

jepja më shumë se vetja
i rëmbyer me madhështinë e shpikjes
një mrekullie të shpallur arome në ëndërr
poshtë e lart
me shujtë të holluar kursimi e lypja
deri në fund i ushqyer me hapa legjitim udhe
me kushtëzime të papranuara fatamorganash
e ecje të patradhëtuara lajthitjesh

jepja më shumë se vetja e nuk bi`ja në gjunjë
në mënyrën e tyre të ngrënies
kusarët e karvaneve më pritnin plaçkë udhën
mbase s`kishin k... me shekuj të lidhnin një barrë
kërkonin në rrëra të thelluara gjurmësh
kërkonin
mëkatin më të madh se vetja

MIMIKRI

veç unë njoha
sa pamëshirshëm shndërrohemi në qindkthetërsh të pafytyrë
mëkot ngjitemi më këmbë urtakë të majeve
kot i shtrijmë motet horizontalisht
në sfida të rrejshme ere tjera gjurmë mbeten pas
stina e karnevalit të egërsisë sonë
gjeneza e kafshës sonë zvarritëse

MJESHTRI

mjeshtri
s`është gjoksrrahësi i vetëemëruar
vdektari i mëditjeve të prekshme
ti s`bën ta shohësh...
as t’ia njohësh erën
mjeshtri, Ai
" s’e ka ndërgjegjen e kopallave të përbashkët me kopenë"
jorastësisht s`duket krijuesi

MPOSHTJE

si mposhtet ndryshe zjarri
edhe dorën mbi llavë
e kam vënë

se ka dhimbje hata përtej vdekjes
në turrën e djegies blesfeme
do isha ngjitur vetë
vullnetarë absolut i të vetmit mëkat


biel / bienne... 09.2004


ME MUROSJE ENGJUJSH


(Mjellmës dhe Borës për amanetin e tingujve të amshueshëm)

telallët bëzënin kob
qeniet e sëmura shkelnin pakuptimësinë epokale mbi sprovën
në margjinat e triumfit
bollë e përvlume pushteti i kërcimtarëve banjoz i "prekur në tel"
në lëngatë të përgjakur urdhërat gëryenin kah fronti i kullës
retë syvrasëse të përmasave të aromës sonë
e imazhi i magjes sonë subtile lidhur në shtylla eksodi
dhjetë hap pas e lente maratonën rivale të shpirtit të ngulur
në majet e caqeve të paqenie
me citate, me eufori mbi kokat e heshtura
veteranë vazalë e suflerë mercenarë aureola jonë i verbonte
i kishte paralajmëruar magjistarja për amanetin e tingujve të amshueshëm
të kota t’i kenë betejat
*as bardhësinë e borës as besnikërinë e mjellmës*
s’e ngjyen kurrë e bardha
këndejpari me tentim murosjeje engjujsh
lind tempulli i ri

NDALU DHE MER ERË

ndalu dhe ndiz cigaren e vetmashtrimit tënd njëherë
ti që aq mirë shqepon pakuptimësinë në përkujdesje
nëse jashtë diku tjetër kallet zia më e madhe se tmerri yt
me psallmën e rigave të hidhura
origjinë e zhbërë të kërcëllen herët nëpër damarë
rrotull ballos gostitëse
mbasvone shkyhen maskat
oh sa mirë njihemi
jashtë mënge të kokëzon helmi i plakur i fantazmave tinëzare
sëpaku ti një gjysmë shpirti të kishe
lëngata e trishtuar s`do heshtte turpin tënd ndër rrënjë
akoma sfidon bekimin e jashtëzakonshëm të faljes së pamerituar
kur do marrësh erë
madhështitë nuk çojnë dorë
mbi thinat e mbetjeve shpirtërore


MONSTRAT

vrapove nëpër fusha e livadhe pas fluturave ngjyrëparajse
e të kthejnë me misterin e humbur të mallit për jetë...
me melodinë e trishtueshme të vetmisë
para çdo mendimi me zë të lartë
me veshë të prerë
e dëgjon vetëm ulërimën e tmerruar të heshtjes
në buqeta të mbështjellura krajatash
e askujt si thua që takove monstrat
kufomat trasvetite shpirtërash
që mburreshin me verbërinë
e vdektarëve të drejtë


NISJE

Në qerre nomade ngarkuan porosinë e madhe
në vigjile të ceremonisë.
Fanatikë vetëzotimi iu dhanë zhytjeve të pafunda
dalldisë së sëmurë të natës së pafund
nisjes.


shkurt `93
...Brindizi - Itali


NOFKË

nga që s`ia shqiptonon dot emrin
nofkë të re i dhanë


OGURZI

antihero i epokës së re e
hero i antikës së vjetër
kush s`ia jep kuptimin dot mbi tokë
me proporcione të karemeve të ngrëna me
masën e urive të papublikuara
ogurzi i dergjur në abazi të pashkruar motesh
e ai tjetri aq gjatë qëndron
i shtrëmbër në protezë rastesh të volitshme
në enciklopedinë e kronikave të zeza mbi sipërfaqe komike të jetës
brenda legjionit të maskave dyfytyrëshe me thimthat e pavërtetave
antihero i epokës së re e hero i antikës së vjetër
gjeniu i ri në qarkun e kobshëm të peripecive
për "dhënie dorë" vetes


ORFEU

(me respekt prindërve të mi për shpirtëpërcjellje altruiste)

veç një kafshatë vete
nuk mjaftonte në jetë
arealet e venitura të zotrave dhe njeriut
t’i ushqeje prej dore
honeve të mbuluara me dhe trishtimi
të çelen damarët të ri të mëngjezeve të qeshjes
vezullime të çlirohen përtej mjegullave symbyllëse të vdekjes
me ëmbëlsinë e mrekullive të melodisë

në hapësira ferri zbrite me lyrën muzikore shtatëfushe e
veç me një kafshatë vete

të bekosh ulurimën e çehrreve demone poshtë
sindromin e të ushqyerit që pastaj copën tjetër ta grabit
e dyert mbërthehen ndërkaq vetëm me kthim koke pas
nga mjerimi të tërheqësh Euridikën
që s’ishte ajo vetë
gëlltit sfidat me tretje dhembëse
rëfimi yt prekës


OSE...

me një formulë të pashkruar më pagëzuan
me kuptimin e një pasioni të mëkëmbur në ikonë vereme gjyshërish
në ceremoninë e një feste jozyrtare
e më thanë zezonë dasmash të ndaluara ishte atëmot
ose… në periudhën e shpërnguljeve jam adoptuar i patrup
për katër stinë u shtyra ilegalë brenda vetes të marshoj
e t’i pezulloj pamjet që ma nënçmonin iluzionin e ecjes publike
në një libër tjetër amzë
me thundra të hekurta nën këmbë
me bonton rigoroz të ëndrrave në gjumë
me damarët e idealeve të paregjistruara bastardhe
e kontratë jovalide në shekullin e ardhshëm me idhull mesjete
ose... në agjendën e dyerve me rreze shekullore
u përplas edhe kokëfortësia antike e lagjes sime
kusuri i ikjes një peng tjetër makabër
hyrjet gjysmëharkore me tjetër simbologji shpjegimi
brenda vitrinave tjera bindje
erë e eksodit nënçmonte varrësi ambiciesh
mosha e lakuriqësuar tajonte jargë të njoma atëbotë
maketa e përkryer në perspektivë
mbi tavolinë oferta gjigante koketonte flirt
pa dimensione udhëkthimi

S`MË LUFTOHET NJERIU

në thellësitë e mia
gjeta metamorfozën absolute të lëkurës së lakmive
aq shumë mallëngjej racën
që provon të shqepë cipa të huaja
njeriu

PA MËNGJEZ

këmbëve u ngrita statujat e përkushtimeve
jashtë rutinës askete te ziles së orës
zgjohej pa mirëmëngjez silueta që s`regjenerohej më
edhe në legjendën e stazave shkepej ritmi i ëndrrave me maje
dita si një lojë e re bixhozi në melodinë e epsheve të huaja
fashitja e kurmit të përmotshëm shtynte kahjet
pa mëngjez jehonte mbi hijen tonë
klithjet në ankand në pazarin e ofertave të zbritura
shprishnin zhgjëndrrat me buzëqeshje nënshtrimi

PALLATI I ËNDRRAVE TË HUAJA
me guxim naiv mbi shumë plantazhe mbi maje lënguese
mespërmes shumë perandorive anemike me kufij trishtimi
me qeshje të njomë nëpër horizonte të lakuara me harqe
me përfytyrime të pakuptimta vertikale
me një dalje kah ferri
oborre verbuese të mendësisë shterpe shkela
pickime mizash të ndyta
fokusime të pashërura yshtjesh dilnin
lypsarë që edhe desertin e kërkonin me lëmoshë
qysh nga dita e parë
të ushtroja për arritje të dorëheqjes
as sfingë jashtë as kentaur brenda
veç që anashkalova
"pallatin e ëndrrave të huaja"

PARAJSË E SHPËRTHYER
Në natë të hidhur të fantazmave
kohësh me këmbë të drynosura
egërsi çastesh dogjën butësinë
profile të thyera dirigjonin hapësirave të zhurmshme
edhe ditës ia vranë agun me vesë
statujë bishash ngritën përbrenda heshtjes së kallur
të denoncohesh nga vetja
të nënshkruash blanko mashtrimin
nëpër ato udhë
domosdo binte kursi në muzgun e durimit të plakur
në palcë qiellore
Parajsë e shpërthyer në pakuptimësi


biel / bienne... 16.09.2004

PELEGRIN
ti u nise
pelegrin në drejtim të lindjes së erës vetjake
anashkalove temenanë tënde të pehlivanëve
ti u nise me hirr të dashurive të bardha
u hodhe edhe peshkirin esull
dhe zgjodhe kthinën e përlidhur larg në pashenjë
parashikimeve orakulle në universin e bredhjes
larg getos e ëndrrave të censuruara me mendësi mëkatesh
përtej sfondeve të minuara me sajesa shtrigash
të prunë shumë larg
piramidave tua të kërkuara të ëndrrës
në falje të pabekuara koinçidencash me
Fatitë
as që ta njohën pelegrinazhin zëdhënësit ndonjëherë
langojtë e pushtetit të pangopur të gojëdhënave

I DENJË
s`jam lodhur asnjëherë prej rradhës
sa herë të isha zgjatur dhe kërrusur prej rolit
sa herë të më shkelej këmba nën sofër
kafshoja buzën e mosthënies
mbase nuk isha nga soji që një ag` do hiqja zvarrë
për një ves
për një daltoni drite
lidhja kokën me dorë
të mos vdiste gjurma e shpresës në ballinë
kur rrëfente një memur pallavra të mykura fronti
pash përcjelljen si e përlyente ndjekja
kisha frikë
shtegëtimin e humbur të zogjëve
e shuarjen
e poleve të kuqëremta në mugëllirën e horizonteve
duke kërkuar përsosjen e zhagimit
gjunjët nuk janë aty ku bien
në shkretëtirat e prashitura me gjurmë sfidash
me monologun e shenjtë të zhgënjimit
i denjë për vdekje jam
s`jam akoma i gatshëm për të dhënë amanetin

DORËHEQJE
i paepur zbret detit të trazuar me plagë peshqish
bri stepave thepisura dhe humnerave të rihapura
me dorëheqjen famoze në dorë
me biografi të ndukur engjëlli
farëmbjellës i pabindur deteline
sërish në tjetër
qiell të përdhesës së ngritur mbi varre


PËRDHOSJE DURIMI
më shumë ia dolën me sharm skamnorësh
të më lagin me ofshama shtojzovallesh
me mimika të koordinuara me përlotje vetvetesh
zëvendëspërcjellësit
stërpiknin kob të ushtruar turpi
e unë
të zgidh nyjet e udhëve të huaja

kur në aromë butësie mbarsohet pelini
edhe padashur
të thehet akuariumi i mençurisë së mbyllur
përtokë
e
të përdhoset edhe durimi për meshë

PËRJASHTIM
stërkallem në biseda zyrtare me hyjt e fatit
për mohimin e bestytnive pagane të shpresave
që në anën e tyre veshi m’u shurrdhua
dhe gjithçka që kah poli i tyre binte
më kishte marrë erë pabesie
e që kisha pështyrë në ligjësitë kozmike të ëndrrave
veç një herë u dënova
i lidhur në litarët e qeshjes sime
tani edhe të pshurrem e kam të ndaluar
larg visit tim
e ata
kanë përshtypjen se më kanë nxjerrë nga parajsa

PLAGJIATURA
në dasmë blasfemie të sollën krushqit duke
ta lyer kryen me akull në darka
një ditë do jetë ndryshe
edhe çmimi i ankandit të trajaktores vetjake
mbi lëkurën tënde me luspa të terrura heshtjesh
një ditë do të jetë ndryshe larg vërejtjeve të parashikuara të
Medea-s
i eshkosur në koinçidencë
i kishe të ndaluara për vete
vërshëllimat e danceve të tërbuara të fajësimit
s`të kishin zbritur me ninullë
figura të frikshme jargësh të trashura njeriu kah ca dyer tjerra
stërpiknin magji udhëkryqesh
vistra duarsh të miteve të huaja psalme rrugaçësh nga të gjitha anët
e të gostitnin si dhëndërr kolonat e rradhitura me një sy
me plagjiatura të zbehta mikpritjesh

PRANDAJ
prandaj
të përshëndetin me të majtë
kush të jesh TI
që s`thurrë një hak
sipas besëlidhjes së shekujve të ngulitur në dhé
të grimosur në përunjen e dogmës së dukjes
në kufi të varësisë absolute
mes urrejtjes dhe dashurisë

PREHJE ANEMIKE
Maska të zeza të bëmave të kamufluara
mbi kokat e horizonteve të lidhura 1001 promovime soditjesh
mbi lëkura ëndrrash biografi e harxhuar pezull
në defilime të paqarta në vertikalen e dyshimit të grisur
shpirt i zënë peng në prehësinë anemike
s`gjenin zarret e ecjes çarrjen e tyre të zhgënjimit në ballë
dhe plagën e gjuajtur të sedrës larg
prapa shpine

PREMTIM
terrin
e mbartën soji i të gjymtëve me palim buzësh,
hallall korbave të visit të tretur
me uri të egër djathi
përtej kufijve të mendjes përtej kufijve të emrit
përtej kufijve të gjakut
me katër kalema ia nxjerrnin fundin
në prag

meditim i praruar larg rëndomësisë
këmbë të zhytura në mrekulli shprese
dhembjes i dhashë leje
nuk do merrem me gjueti kollitjesh
në orbitën e diellit të ardhshëm të ringjalljes
(shumë vetë përpara e kishin thyer këmbën e unit të ndjerë)
prej një rave malinje në ballë
me durim të lidhur devot
në të njëjtin vend

dallohen të stërlashtët me bisht shpifjesh
arrijnë më larg
se dinjiteti për të vdekë
se kam akoma të qartë
a me role të pakuptuara vudu
a me zakon tjetër të ngrënies

PRIORITETE
s`ndeshen këta në rutinë
bashkëudhëtarët me qepalla të mumifikuara të visit
veten anashkalojnë e zotit i dalin para
dhe pak si tepër presin prej një fjale sovranët e bartjeve tjera të largëta

rivalë të përdredhur në vesh nate me kufomë të copëtuar të të vërtetës
që s’e fal ky zakon
jashtë kockësamarit të saj
në trollë
me shenjtëri të pavërtetuar asnjëherë
me epitafe
prioritetesh të panjohura

PROFECI
e shpresa...
e fundit në rrugë vazhdonte t’i puthte dorën
profecisë
mbi ardhjen e një njeriu me qime sheqeri


Tetovë / tetor `96
[pagebreak]


MBRETËRESHAT ANALFABETE

poshtë
zgjat më shumë shekuj ai udhëtim sojnemur
me nënshkrim mëshire me një lak paskreje
përballë syve të zhveshur
erën e kthyen të frynte ndryshe
portretin që ia njohën në murin e një konteshe

të mramen ditë e ekzekutuan me version të ri

dhe çka tjetër është më vrasëse se përkulja
se mosnjohja e flijimit shekullor
dëshmia e pamjaftueshme e pragut
ku kishin plasur lëvoret e ëndrave më herët
i shkulën vijat gishtore të identifikimit e
e gjuajtën në hon të herezisë së paskaj
më lehtë ta hanë vdektarët
me cinizmin e gjymtisë së tyre vetjake
me zakonin e mbretëreshave analfabete

e ti kërkoje në shtypin e përditshëm të vërtetën
vërtet
pse
[pagebreak]

PUSHTIME

Me natyrë të pasosur falja
djall sa shumë këlyshë
me përmasa bishe s`durojnë zemërgjërësi të ushqyesit
rendin pas mëngëve në takime dyfytyrëshe
fatkeqësi me racën e pjellakobit

skëterra përsëritet e ringjallur
atje ku rriten ëndrrat drejt gjymtyrëve të ecejakeve
mbi lëngun e njomësisë së këndjeve mbi dashurinë
përplot hidra jargëtrasha
në fushëbetejë mbeten
kufomat e gjakimeve
[pagebreak]

RREFUZIM

akoma dëshmoj përkundër ofertës
për një fron në mbretërinë rutine
"ata të sojit kalangritës nuk rëmihin varre"
[pagebreak]

REINKARNIM

do të ktheheni përsëri në të njëjtën këngë
me dhëmbë të krymbur pendese me amullinë magjike të syve
me mospërfillje përjetësishë të blerta në butësinë e harxhuar të lëkurës
qëkur shkurtabiqët i bëne puç parrajsës ditët e lëshuan mazën e afshit të ngrohtë
rregullat e pafundme të kënaqësive pikojnë përeth buzëve të fatit
drejt horizonteve që s`lejohen për hetim
nuk do jeni të vetëm me mëkatin e fundit në eden
me kurora bliri
çdo ëndërr më në fund kullohet pluhur i bardhë kurmi
një zot e di
kush nuk do të jetë aty
e
ç`mbeti të pikojë përjetshëm
[pagebreak]

REKUIEM PËR MANUSKRIPTIN


që ditën e parë
trokiste Salinieri me lojën e ekzekutimit
rreth vetes
shpirti i pjellte si kudër e pastrehë
për komponimin e amanetit të parë të ninullës
hipokrizia e sekretit solemn vinte e shkonte
shpirti i mykur në fron sedre
pandehte me monedha mund të preken të gjitha
një marsh mortor... dhe një uvertyrë e lindjes
që ditën e parë
shtrydhte dy teha ekstremesh nën tavolinë me pleksje djallëzore
ose të ti presë b... ose të të rrëzojë në të urrejtur qinvjeçarë
kërcënohej buzëqeshur maska e dështimit të vetëkalbur
natës i therrte hënën përgjysëm
për komponimin e amanetit të parë të ninullës
uzurpuesi i trofeve të huaja s`pyeste për çmim
aty ku i tejkalohej vetja
[pagebreak]

KOMEDIA E NJË DISIDENTI

me errashka të dhjamura ëndrrat e plagosura flladiten më lehtë
tutje një getoje të rethekur me shenja shumëkahëshe
ti lako para pamjeve të përthyera me kontraste
ti s`je i vetmi i zhgënjyer katërcipërisht
edhe unë pata humbur toruan duke pritur
ulur në njëkëmbësha
që s`kisha mundësi të luaja me fytyrë
e të futesha në vallen e marionetave të porcelanta
me më të zotët
të isha në linja të veçanta telefonike
me tarifa të shtrenjta

ti
tani fryj vëngër devotin e autoportretit kryeneç
kapelën nxjerre një minutë para qelive komode
aksionarë i hyut gjuaju brenda rrethit vicioz
e
buzëqeshu kufomave që ia kanë lagë jetës
[pagebreak]

RIGJAKIM

me grahmë
tani sipas rendit të kokëuljeve
të rigjakoje
me ekstremitetet e kryqëzuara të bindjeve vetëmohuese
[pagebreak]

SEKRETI IM

s`kam dashur kurrë të keni në testamentin e thashethëmeve
edhe fundosjen time
në dallgët e zhgënjimit babilonas
as aferën
e eshtrave të heshtjes sime të zhvarrosur
në dy varre të ndara
me epitafe të ndryshme të vërtetash
në buqetën e besimit tuaj
të lypni përjetë përgjigjen në zemrat tuaja të pafajshme
me rreshje të kushtëzuara kujtimesh
e memoare të censuruara
të fateve të ndaluara
në korrin e qeshjeve tuaja
[pagebreak]

SFIDIM

durim sfidash ringjallin shekullin e uratës së madhe
vijës pelegrine të besimit të shpërdorur
me lindje qeshjesh të zgjoje të gjymtën e përfjetur
dhe tërë kopenë përtypëse të përkrahësve
mbase
kryqëzatat e nofullave meskine desh të zbrampsën
betejave të dyshimta me famë meskinësh
mandej tërë pluhurin e tyre përgjumës e thithe
i vetëm
veteran i dhimbjes së ngjyrosur


shtator, 2004
[pagebreak]

SHIGJETIME

posa u rrotullua në krahun tjetër të mëngjezit
i kishte arritur posta
shpirtërat e listës së zezë
emrin i kishin nënvizuar te romakët
para këngës së gjelave
apostulli i tij i parë

manire syuriturish shigjetimet e fshehta
nën tryezë besimi
i thyen llastarët e miqësisë

[pagebreak]
SHOKO

çmimlirë i tregove djallit ku bie
koka ime

e unë të mbusha shprazëtinë
përposhtë fund-honit të mjerimit fisnor
me mishin e trupit tim

sot ti i varfër
i uritur djalli përsëri
as me ty s`u mjaftua
"ai"
me mish timin, e kishte
[pagebreak]

SHPËTIM

u çela derën
gjitha kujtimeve që bujtën në erën time
jashtë unazës së gravuar të paragjykimit
hungërima durimi
e përpak të kalëroja në tetrin antik
duke kujtuar se luftoj gjysëmperënditë
e në fakt ju...
ju donit të aplaudoni mbi maskën time të pakokë

[pagebreak]

PERANDORI

jam duke pezulluar
mbi çatitë e një mendësie të pangjyrë
apo zhagis nën pragje realiteti që kundërmon frikë mbijetese
e publikisht jam arratisur pasi preka vetë në pushtetin e errësirës
masën e renditur në vistër simulimesh të neveritshme
me efekt perandorishë
e unë honepsa aq gjatë se andej rrinin vetëm engjujt
aty
as që prisnin të vdisnin njëherë ëndrrat
për t’i varrosur
[pagebreak]

STËRNGOPJE

spirancën e besimit hedh në breg hamendjesh
s`është ky ishull im
tutjedaljet lëvaren në terre zulmëmadhe lirishë
porta anësore të paramendjeve
në maje të hundës tjera shtigje rrahin
pingul harqeve emrore triumfe të pozuara
dimensione vetjake ngarkohen me pushtetin e tyre të mjeshtrisë
kotësi ikacakësh të përsosur
shumë larg kërcellit tim
barra të vulosura shkarkohen në mesqendër çastesh
dhe shekujve të mburrjeve të mbivizuara
me barasvlera të ulëta mëditjesh

shpagimi peshkon në të thatë
brendinë e qenies që nuk fle më
kapricje rivale buzët copë në zgrip vetëkafshojnë
e bartet nëpër stinë lugina e shpresës bosh
rrudhat vragëlënëse dëshira ngjyrash të parealizuara tradhëtojnë
unë u stërngopa me kësofarë erëudhe në damarë
mbase
do të dijë t`ia bëj edhe pa fitore
[pagebreak]

TAGJI

të ndahet paqa me dorë
trembdhjetë vjet tagji për hordhi ulkoje
të hanë pas shpine motive të të korrave të dështuara
skajeve të strehuar në pagjumësi
në jubiletë e sabotuara të përcjelljeve
përndiznin trajta imazhesh falso pas mesnate
lesh besimi nduknin në mes të grigjës ndër sy
e thenin qafën pa pardon

ç`gabim të besoje verbër në fishekzjare
në gjitha meset uleshin këmbëkryq me shami mashtrimi lart mbi kokë
shpirtligët me privilegjin e pahir thenin gotat me mburrje
në dehje të palejuara me qaforen e fatkeqësisë së huaj në xhep
trembëdhjetë shekuj resht bujnin
në kokël ëndrash të huaja
me qeshje të shtrirë në veto të dyshimta

trembëdhjetë vjet tagji për hordhe ulkoje
paskam ecur çalë
[pagebreak]

TË KALUARAT

Me këpucë të tyre më mbathi
ushtria e sëmurë e gjeneralit të vdekur
marshet e mia të shkelura
të kaluarat e mia t’u takojnë

të kaluarat e mia t’u takojnë
zoti i vjetër u shemb mbi tempujt e sheshit të pafe
si ndërruan vendet gjysmë-perënditë
u varr perandori pa arrijtë ta pështyjë kush

mua më mbeti shija e udhëtimit
[pagebreak]

TË PAQESHURIT

... sot e kësaj dite
kur ti u falë buzëqeshjen
ata ta kthejnë me
brekë të ndyra...
[pagebreak]

TË VONSHËM

me pasion zhurrme qëllojnë
në hijen e ndritshme të engjujve më gjuajnë
mua të më qëllojnë
mes dy zjarresh të më molepsin në lëngatë
somnabulë të agjendave të krisura mendore
në ecjen e akrepave të mi kacavjerren
mua të më qëllojnë
në hijen e engjujve gjuan sterra barbare
të më qëllojë

kanë filluar kaherë...e sa të vonshëm janë
mesdita s`është në ora dy
[pagebreak]

GJYSMA TJETËR

më fort ulërinë lehja e sedrave
gjykimet e çmendura të joshjes së imët
keqardhje të çiltëra dergjen
shkaku i vonesës së tyre braktisa më shumë se një hyrje solemne
për çdo ditë më larg
e më larg
vetes

mëshirë të urisë së tyre
të pangopurit shtrova në zemër sofre
lakonin lëpirës në kortezh para dere
më shumë se gjysma e botës me gjenezë të pashëruar
ultësishë
kur edhe lëmshet e shenjta paskan nyje...
përballë tjetrës braktisa më shumë se një hyrje solemne
gjysma e dyerve të botës ishin me kamëza të tilla pangopësie
mbase
askush s’u profecua në vendlindje


KULTURË VIKTIME

që të ishin shprishur bindjet
ece si gjatë hapur në cepe rrugësh të paralajmëruara më parë
në librin e të pakthyerve
kapërcyer mbi të gjitha normat e kapitujve
"zoti të ruajt nga sherri i të paditurit"
një ditë të mëvonshme zverkun e frikës kur çlirojnë,përsëri
do të ishte më mirë të besoje në proverba
se mos zot ma keq,një dite
me busollë të hallakatur shpirtërore,
deri në paskajësi bëhen mendjemëdhej budallenjtë
luftojnë nën flamurin e baraspeshës krahasuese
me kaparin e emrit tënd...

shtyj vetes gishtat dhe vjell tepricën e patretur
me tjetër kulturë viktime



TORZO

motivet e formës i trodhën ndër trembëdhjetë shekuj
e lëkurë e bindjes besonte akoma në relievin e shpirtit tim
dhe pingul vdekjes kam ruajtur freskinë e bindjes
mbase tjetër kuptim kishte falja
s`kam parë gjë më mizore se pamja e siluetave
në kostume të përkohëshme me dhé të ikur dielli
edhe dishepujt e tyre
në arratisje me identitetin e lakmive me joshjen e huaj
unë do rrëfej
vetëm para zotit gjallëmbetjen
pingul vdekjes kam ruajtur freskinë e bindjes
në majështizë
me thinjat e heshtura do ngreja një baladë të re
udhe
me torzon e sjellur të udhëtarit të parë




TRADHËTI

s`arritën të më pushtojnë vetëm me kangjele
gjersa...
s`më lidhën në gjumë për flokësh



BETEJË TROJANE

pas një parakalimi
e fali kalin
gjithë tjerrët thanë
eh... s`diti të gjendet në fushë shahu
ai kishte arritur në trojë



UDHËSOSJA

të më linin mua anësh
këtu isha për të bart tjera imazhe mbanë
miza e saloneve tuaja dergjet ndër plisa tjerë
unë majësoja bindjen
një dekoratë me kurorë gjallëmbeturi për pak
do mbyllja udhën në
strajcë




VDEKJA E AKREPIT

me ecje memece
përbiron sfondin në thellësi shpirtërash
arrin të pllakos shëmtinë e bishtit të kthyer kah vetja
dhe hesht
me të zitë e vet përlyen haptas gjurmët e udhës pas
dhe s`duket
e nuk shpërngulet dot nga natyra e vetvrasjes
të fundoset në rrërën e brishtë, në shpirtin e viktimës
vetes t`ia fusë thumbin helmues




VDEKJA PËRMBYS

s`durohet hija e fëmijëngrënësve në palcë
në ahengje mumifikimi kam qëlluar pingul në rreshtin e parë
në ritual
dhe shihja si zienin qoftlargët qenien time të ardhshme
pa mua
tortura lakmie shkrinin trupin e bindjes sime
shkulnin zemrën e imazheve dhe fortësinë e baladës
një armatë ushqenin përbindshat e fatkeqësisë natën
veç me një të lënduar dite
veç me mua
mijëra vetëplagë boshësie kuronte mizori
në arkivolin e qeshjes së ngrirë

do isha kthyer barkas edhe njëherë në altarin e kryedjallit
ku dergjet akoma shpirti im i lidhur vetëm
s`durohet hija fëmijëngrënëse në palcë
po hall tjetër kam në sezonin e agut të të vërtetave
satisfaksionin e gjelbërimit absolut të flijimit
a do të ma falnin
vdekjen e kthyer përmbys



KUPTIMI I VDEKJES

këtu sot
me dy pëllëmbë fytyrë blen një perandori të tërrë
por ky vend
s’e ka patur zakon kurrë ta ballsamosë muminë


Tetovë `02



VETMASHTRIM

me def jevge
kërcente bisha me hallkë në hundë
ne i duartrokitnim kurse vallëzon
e ajo
tallte njerinë




NGUSHËLLIM

e tillë qenka kjo botë në ditën e dytë
saora lundrimet e zbarkuara retushohen në huqe trotuaresh
sipas tekeve të kalimtarit të rastit
edhe shekujt e përhumbur pafajshëm në brendi misteri
me legjenda tjera të rikthimit në tokë
nga këndi me trille dritash të fikura
e origjina tjera varësishë me ëndërra substancash zilikë
djathtas e majtas pëllëmbë të ndyta prekin gjithmonë në altare
zgavra pangopësie në ballë, kafshime e shkelje
pa pikë kulture urie
sodisin kopjet e zbehta pirate rudhur galuc nën mëshira
njerëz që kanë dëgjuar për mbathje
presin konfeta të zeza të hudhin në ajër, ahengje mortesh të festojnë
hijet e vetëngushëllimit ndryshkur

njeriu u rri larg


Tetovë / qershor "94



PENDIM

sa mbusha të bamurat e përmotshme tej anktheve të herave
mu varën në qafë
te guri i përcjelljes më morrën erë në lotët e mallëngjimit
shtigjeve të rrahura me kujë
që sipas zakonit u hidhja pak buzëqeshje përsipër
në lutjen e përbashkët mos takofshim kurrë
horizonteve me sedra të tërbuara ku pihej shumë ujë në fatamorgana
e temena u bëhej pak si tepër
formave boshe të plandosura në kotësi
andej kah
libri i historive tona të ç`bekimit

devotë të heshtjeve presin me kurora të zjarrta privimi
pa të lashtat së bashku nuk mbet më gjë,
duar të gozhduara,e sy të vrimuar në mallëk(th)im
mote të kryqëzuara në biletë kthyese




VOTIM

unë kam votën time akoma të papërdorur
në ujdinë e tërëkohës me paqë të falur flijuese
vetëm djalli nuk zbutej
gjitha bishat tjera kanë hëngër prej dorës sime
ndër tjera udhëkryqe
ndër tjera paradokse

gjithçka më patën ofruar të kthehesha i pagojë
kufomë finale me liri të improvizuar fatlume në ballë
me ndërgjegje tjera
e përsëri unë t’i kërkoja falje vetes
në altarin më të moçëm në këto anë
ndër syzime të reja besimesh të njerëzve të rinj
e të vjetër
qenie e përhumbur në pengje të pazëvendësuara shpirti

larg bindjeve të para flijime mitesh qiellore
që as edhe shijen e këtij varri s`keni për t`a prekur
pa versione sprovash hyjnore
kur gjthçka që lëmonë në front zhgënjimi konvertohet
e diellit t`i prihet
gjurmëve duke u kthyer pas
s`kam ngritur dorë kurrë mbi gjëma, si fakir
me fatkeqësinë e mohimit makabër të flijimit
gjithçka e mundur të dukej në kaosin e zbukuruar të ecjeve,
pabëzajtur me tjerra thelbe udhëarritjesh




YSHTJE...

ndoshta jorastësisht edhe s`i lanë të njihen shpikësit e një kënge të njohur anonime krijesa që u hëgrën pa arritur ta rrëfejnë shortin e biografisë e sa lundrime shkaku i stemës së flijimit u hoqën për t’u kthyer pastaj përgjithmonë të përgjakur me shurdhërima të këngëve të sirenave
II
të shkuar e të ardhur i shtronin me kokë të kthyer kah lindja e demonëve ç`ikje të rrjepura stërpiknin, rudha trishtimi fundin e moteve të dergjura në stadin e velave të ngritur
III
grahma buzëidhëta në parakalim,
veç farkëtarit i kishte besuar porosinë e çalimit
çdo shtatë vjet ia helmonin nga një kalë
e mëzirë mallkimi nuk dukej shpagim të ishte
tjera kremta pagane festonin shtrigat
në pikë të mesditës të rreshura yshtjesh
eshtra të një emri
të bredhen gjetkë



ZHYTËSVE

më thellë se në fundin e shumë varreve
më thellë, varrosen tragjeditë
më poshtë brezit të paemëruar më herët
tej përfytyrimeve të zymta të natës e buqetave të venitura ndër gishta
specieve mistere që frymojnë pa gjymtyrë balli në galaksi
në fundosje ëndrrash pulsonte mjerimi i huaj
prekja ime shpirtërore e hapësirave
të përmbytura mesvete
më thellë se fundi i varreve
varrosen tragjeditë tej universit të shpëlarjes
e, perlat hapen thesare guackash mbi tokë
prej zhytësve më të thellë të jetës

II
e,po mos të më vinin të uriturit në ngushëllime,kurrë
s`do të kisha njohur këtë lloj ngrënie tjetër

shtator, 2004 biel/bienne



ZOTËRORE

zotërore
në secilën fjalë në secilin prag dere
dërgoje qumshtin me dorë
të shejtërosh njerinë

e vetëm i hoqe vetes tëmthën
zotërore



ZOTNGRËNËSIT


në kurriz e thyen sabahin e ardhjeve të përhershme
pa u pyetur në emër të damarit tim
me motiv të ri që s`guxonin ta kishin as për vete
hynin e dilnin me këmbë të majtë djallëzie
në dyer zemrash të hapura murre lumturie gërryenin
sa mizorë bëheshin
të ushqyer me lëmoshë të kështjellave të purpurta
në lulëzime të stërçelura pranvere përtej vakumeve të mesnatës së tyre
pjesëmarrës kurrë të paqenë

edhe më ndryshe shtronin pastaj darkën e shenjtë
eprorë kapriçiozë të hierarkive meskine të kotecëve
në ceremoninë kurorëzuese u derdhën të më gostitnin shpëtimtarë
s`kishin as zot

i verbër paskam qenë
gjurmëve dhembëse të heshtura kohe
kur ashtet e zotit viktimë gjeta nën tryezë
e kishin ç`pupluar në ditën vigjile të festës.
[pagebreak]
Redaktor:
Fatmir Sulejmani

Recensent:
Shazim Mehmeti

Ballina:
Tringa Design

Shtypi:
“Tringa Design” – Tetovë

1 comment:

Afrodita said...

Burri im është kthyer!!! Pas 1 vitesh martesë të prishur, burri më la me dy fëmijë dhe jeta ime u shkatërrua. Doja t'i jepja fund, gati vrava veten se ai na la pa asgjë. Jam thyer emocionalisht gjatë gjithë kësaj kohe dhe jeta më duket e pakuptimtë. Një ditë besnike, duke shfletuar internetin, hasa në disa dëshmi për Dr DAWN. Disa njerëz dëshmuan se ai e ktheu ish-in e tyre, të tjerë dëshmuan se ai rikthen mitrën dhe shëron sëmundjet me barishte. Më shumë më interesonte pajtimi me bashkëshortin tim, të cilin Dr. DAWN e bëri të mundur që ta kthente burrin për 3 ditë. Tani burri im është kthyer dhe ne kemi jetuar të lumtur që atëherë. Të gjitha faleminderit për Dr DAWN. Këtu, kontaktin e tij e lë për të gjithë. Sepse ka çdo lloj sfide,
Email (dawacuna314@gmail.com)
Whatsapp: +2349046229159